Menaxheri i Vojvodës: Vojvoda do të shkëlqejë në Itali

Mërgim Vojvoda kreu hapin e madh në karrierë duke u transferuar nga Belgjika në një nga ligat kryesore siç është Serie A ku do të veshë fanellën e Torinos.

Në garë për mbrojtësin e Kombëtares së Kosovës ishte deri në fund edhe Atalanta, por përfaqësuesi i Vojvodës, menaxheri i njohur shqiptar Adrian Aliaj, në lidhje telefonike për Supersport zbulon se pse në fund zgjodhën klubin “granata”.

“Transferimi i Vojvodës në kampionatin italian është një surprizë për mua, por jam shumë krenar për këtë lëvizje, pasi bëhet fjalë për një lojtar me shumë vlera. Ishte në lojë edhe Atalanta, por zgjodhëm Torinon, pasi këmbënguli shumë më tepër dhe mendoj se bëmë zgjedhjen e duhur. Mërgimi do të jetë titullar absolut në Torino dhe Giampaolo aplikon një skemë që i përshtatet shumë atij”, tha Aliaj.

Të luash në Serinë nuk është detyra më e thjeshtë në botë, por Aliaj është i bindur që futbollisti i tij do t’ia dalë të jetë protagonist tek Torino, ndërkohë që është i lumtur për aventurën e re tek Napoli të një tjetër futbollisti që ai përfaqëson, Amir Rrahmanit.

“Te Mërgimi kam shumë besim që do të jetë i suksesshëm, sepse është rritur në kampionatin belg te Standardi. Nuk ka kaluar fare nga Shqipëria apo Kosova dhe është një djalë me mentalitet europian, profesionist dhe nuk kam dyshim që do të jetë surpriza e kampionatit. Do ta shihni vetë. Transferimi i Rrahmanit te Napoli, ishte kulmi i punës tonë në ato momente, ndaj jemi shumë të lumtur me këtë marrëveshje”, u shpreh Aliaj.

A do të jetë kampionati italian, parajsa e madhe e lojtarëve shqiptar, Aliaj është i bindur që shumë lojtarë nga trevat shqiptare janë të aftë të luajnë në Serinë A.

“Shqiptarët kanë treguar veten në Itali dhe kanë kualitetin e duhur për të luajtur në Serinë A. Shumë shpejt do të vijnë edhe emra të tjerë këtu, pasi edhe ne po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Aliaj.

Në fund Aliaj zbulon diçka edhe rreth së ardhmes së dy prej lojtarëve më të mirë të sezonit të fundit në Kategorinë Superiore, Kristal Abazajt e Dejvi Bregut.

“Abazaj mbylli një sezon fantastik. Vjen pas një aventure jo të mirë te Anderlechti, por jo për faj të Abazajt, pasi klubi belg ka shumë probleme për momentin. Mund ta shohim shumë shpejt në ligën e parë turke ose Poloni, në një klub shumë të mirë. Nuk përjashtohet edhe një rikthim në Belgjikë, por jo te Anderlechti. Për Bregun kemi pritshmëri të larta dhe duam ta çojmë në Poloni, ku t’i japim mundësinë të rritet edhe më shumë”, tha Adrian Aliaj.