Menaxheri i Kosovës konfirmon interesimin për Orges Bunjakun
Orges Bunjaku është futbollisti i radhës që Kosova synon ta ketë pjesë të saj. Mesfushori Bunjaku është duke u përcjellë nga vetë përzgjedhësi Bernard Challandes. Interesimin për Bunjakun e ka konfirmuar menaxheri i Kosovës, Bajram Shala.
“Përzgjedhësi Bernard Challand e ka përcjellë dhe e njeh atë”, ka thënë shkurt Shala për Sportin në KTV.
18-vjeçari kosovar mori lëvdata pas debutimit të suksesshëm në fundjavë me ekipin e parë të Baselit, pasi asistoi në golin e dytë në duelin që Baseli e fitoi ndaj Zurichut, 4:0.
Madje drejtori sportiv i Baselit, Ruedi Zbizden, kishte thënë se Bunjaku, që nga dita e parë e grumbullimit, ka treguar se ka dëshirë të luajë e jo vetëm të stërvitet me ekipin e parë.
Orges Bunjaku është zhvilluar si futbollist në Akademinë e Baselit, ndërsa me grupmoshën U21 të këtij ekipi ka një gol të shënuar në 14 ndeshje dhe ka kontratë deri në vitin 2022.
Bunjaku ka qenë edhe pjesë e të gjitha grupmoshave të Zvicrës dhe me grupmoshën U19, ka tri gola në gjashtë ballafaqime.