Memoare për Isuf Lumin

Shkruan: Edmond Thaçi

Sporti bashkon, krijon ura bashkëpunimi, para së gjithash edukon dhe krijon vlera shoqërore. Si të tillë, duhet ta kuptojmë të gjithë.

Në shumë raste, sot e gjejmë të thënë, por edhe të shkruar madje edhe që sporti është jetë.

Në Kosovë, shumë njerëz kanë dhënë shumë në jetësimin, zhvillimin dhe afirmimin e sportit.

Por, shtrohet pyetja, sa jemi duke i kujtuar ata? Thënë më mirë, sa jemi duke e respektuar gjithë atë armatë të njerëzve të cilët kanë sakrifikuar shumë vetëm e vetëm që sporti të ecë përpara.

Kësaj radhe do të ndalesha te një njeri i veçantë, një personalitet i rrallë me të cilin kam qindra e ndoshta mijëra minuta biseda e biseda qoftë në studio të radios por edhe jashtë saj. Isuf Lumi, presidenti i parë pas mëvetësimit në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Vdekja e gjeti si sekretar i përgjithshëm në këtë sport shumë të dashur për të.

Ai kontribuoi maksimalisht në të gjitha mënyrat në zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë.

Skuadra e tij e zemrës Ylli nga Suhareka, por edhe Federata e Basketbollit e Kosovës, organizuan turne memorial në nderim jetës dhe veprës së tij. FBK-ja organizoi turne deri në vitin 2016, kurse një vit e organizoi edhe skuadra e Yllit. Por, nga 2018-ta e këndej, sikur u lodhën, apo me bindjen që ska nevojë më të përkujtohet dhe të ndërpritet; dukuri që në Kosovë nuk është e rrallë.

Shtrohet pyetja, kujt po i pengon që ky turne të vazhdojë të mbahet në jetë? Nuk e ka merituar një gjë të tillë? Nuk ka mjete financiare për të organizuar? Nuk kanë termin skuadrat e elitës apo ndoshta të propozohet që të mbahet edhe me gjeneratat e reja, për të cilat Isuf Lumi kishte punuar gjithë jetën e tij.

Ditë më parë ishte edhe përvjetori i 12-të i vdekjes së Isuf Lumit. Sa shpejt po i harrojmë, sa shpejt shterren kujtimet dhe i lëmë mbrapa jashtë ndërgjegjes sonë, sikurse një valigje që kur nuk na duhet e lëmë pas dollapit.

Nuk mund të paramendoj që figura të tilla mos të nderohen dhe vlerësohen. Kosova i ka dhënë shumë sportit, figura të ndryshme kanë sakrifikuar shumë me dekada e dekada që ne të kemi kulturë sporti dhe vlera të larta sportive.

Jo vetëm zoti Lumi, por kemi shumë sportistë elitarë që enden në Kosovë e në botë, e për të cilët as emri nuk ju përmendet.

Kujtojmë, që në këtë mënyrë gjeneratat e reja as nuk e kanë idenë se cilët janë dhe kanë qenë.

Është koha e fundit, t’i thërrasim ndërgjegjes, t’i nderojmë ata jo vetëm që nuk janë në mesin tonë, por edhe ata që i kemi gjallë, që i kemi në mesin tonë.

Duke respektuar të kaluarën e ndritur, besoni, do të kemi të ardhme të ndritur.