Memli Krasniqi uron Adnan Dibranin i cili fitoi mandatin e katërt si deputet në Suedi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka uruar Adnan Dibranin për rizgjedhjen deputet për herë të katërt në Parlamentin e Suedisë.

Ai këtë e ka bërë përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ku njoftoi se është takuar me Dibranin dhe kanë diskutuar për shumë çështje aktuale politike dhe ekonomike.

“Për shkak të situatës politike në Kosovë, kur ishte vetëm 4 vjeç, Adnan Dibrani, së bashku me familjen e tij kishte emigruar në Suedi. Por, statusi i tij si i huaj në këtë shtet nuk e ka penguar atë asnjëherë që ta realizojë vetveten në shumë dimensione. Ekonomisti i diplomuar, ka fituar edhe mandatin e katërt si deputet në Suedi, ndërsa ka shërbyer edhe si përfaqësues i këtij shteti në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ishte kënaqësi që ta takojë sonte përsëri dhe të diskutojmë për shumë çështje aktuale politike dhe ekonomike, me të cilat po ballafaqohet Kosova”, ka shkruar Krasniqi.

Ai gjithashtu uroi edhe Aida Birinxhiku e cila fitoi mandatin e parë si deputete në parlamentin suedez.

“Si një nga qindra e mijëra shqiptarët e Kosovës të cilët kanë sfiduar fatin dhe shanset, për të prekur majat e suksesit në shtetet evropiane, Adnanit i urova rizgjedhjen si deputet dhe i dëshirova shumë suksese të mëtutjeshme. Fatmirësisht, këtë herë ai nuk do të jetë i vetmi shqiptar nga Kosova në Parlamentin suedez, meqë mandatin e parë të saj e ka fituar edhe Aida Birinxhiku, të cilës ia përcolla urimet e mia përmes Adnanit. Shumë krenar me motrat dhe vëllezërit tonë në mërgatë”, ka shkruar Krasniqi.