Memli Krasniqi takohet me Gjukanoviqin, e falënderon për mbështetje të shtetësisë së Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi, ka thënë se gjatë takimit me presidentin malazez kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, Mal të Zi dhe rajon, shkruan lajmi.net.

“Pata kënaqësinë që sot të zhvilloj një takim miqësor e të frytshëm me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë”, shkroi ai.

“Gjatë këtij takimi folëm për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, Mal të Zi dhe rajon, duke shprehur nevojën për forcimin e bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve, pavarësisht pozicionit tonë politik”, ka thënë i pari i PDK-së.

Tutje, ai ka treguar se i ka shprehur mirënjohje presidentit të Malit të Zi, për angazhimin e tij në mbështetjen e Kosovës që nga koha e pavarësisë.

“Presidentit Gjukanoviq i shpreha mirënjohje për angazhimin e tij në mbështetje të shtetësisë së Kosovës, që nga njohja e pavarësisë së vendit tonë, atëherë si kryeministër i Malit të Zi, e deri sot. Partia Demokratike e Kosovës është përherë falënderuese për kontributin e mikut tonë nga shteti fqinj mik”, ka përfunduar Krasniqi.