Memli Krasniqi: Qeveria aktuale i ka braktisur qytetarët dhe ka stagnuar në të gjitha fushat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha sot se qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, i ka braktisur qytetarët dhe ka stagnuar në të gjitha fushat, duke përkeqësuar skajshëm jetën e qytetarëve, të cilët, siç tha ai, po përballen me shtrenjtim enorm të produkteve esenciale.

Lideri i opozitës, një ditë pasi takoi 8 kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK dhe deputetët e Grupit Parlamentar për tu koordinuar para nisjes së Sesionit vjeshtor, sot ka mbledhur Kryesinë e PDK-së për diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe për krizën e rëndë ekonomike.

Sipas komunikatës për media të lëshuar nga PDK pas takimit, kreu i kësaj partie Memli Krasniqi, i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë për punën e kryetarëve të komunave ku udhëheqë PDK, për diskriminimi i skajshëm që Qeveria po ua bën komunave si dhe për koordinimin e aktiviteteve me deputetët e Grupit Parlamentar për Sesionin vjeshtor.

Po ashtu, Kryesia e PDK-së sot ka caktuar deputetin e saj Isak Shabanin kryetar të Degës në Podujevë.

“Në vazhdën e reformave dhe të konsolidimit të Partisë Demokratike të Kosovës, në pajtim me vendimin e mbledhjes së fundit të Këshillit Drejtues, si dhe në bazë të nenit 31 të statutit, sot, Kryesia e PDK-së ka vendosur që të caktoj udhëheqësinë e përkohshme në Degën e PDK-së në Podujevë, me kryetar Isak Shabani. Kryesia e PDK-së e ka autorizuar udhëheqjen e re të Degës në Podujevë që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për funksionalizimin e strukturës së Degës në të gjitha nivelet e saj”, thuhet në komunikatë.