Mediat serbe i thurin elozhe Muriqit: Anglezët do ta kujtojnë gjatë, stadiumi iu përkul, ndërsa lëvdatat nuk kanë të ndalur

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi (2-0) ishte një rast i shkëlqyer që tifozët në Prishtinë të tregonin se kë e pëlqejnë më së shumti. Vedat Muriqi është yll i futbollit atje, ndërsa këtë e dëshmoi edhe koreografia speciale dedikuar atij.

Kështu e nis shkrimin blic.rs për sulmuesin e Fenerbahces duke vazhduar se ai është idhull i shumëkujt në Kosovë, prandaj edhe nuk është habi që e shfaqën në atë mënyrë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Besa Besë!” ishte mbishkrimin i asaj fotografie që është edhe kënga të cilën e interpretojnë Dardanët në ndeshjet e Kosovës.

Në artikullin e mëtejmë tregohet se Muriqi ka lindur në Prizren dhe ka nënshtetësi të trefishtë. Krahas Kosovës, ai është edhe shtetas i Turqisë dhe Shqipërisë.

Portieri legjendar turk, Rustu Recber, e ka etiketuar Muriqin si një qendërsulmues ideal, i cili e shfrytëzon shpejtësinë për të qenë në situata të përsosura në terren, dominon në duelet në ajër dhe njëherësh përfshihet në lojën ekipore.

Me fanellën e Kosovës, ai ka shënuar shtatë gola në 22 paraqitje deri më tani, ndërsa golat kundër Malit të Zi, Anglisë dhe Republikës Çeke e kanë bërë atë një idhull te tifozët e Përfaqësueses.

Më tej gjatë artikullit thuhet se ai ka mundur të zgjedhë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por në këtë aspekt nuk ka pasur dilema se kë të zgjidhte.

loading…