Mediat proqeveritare në Serbi bënë të ditur se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është sëmurë gjatë qëndrimit në SHBA dhe se pas konsultimeve me mjekët është vendosur që urgjentisht të kthehet në Serbi.

Ndonëse mediat theksuan arsyet shëndetësore të kthimit të tij, në dy ditët e mëparshme të qëndrimit në Florida, Vuçiq nuk arriti të zbatojë agjendën e paralajmëruar. Përveç takimit me ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudolph Giuliani, nuk ka pasur asnjë takim tjetër të rëndësishëm, transmeton Ballkani.info.

Sipas informacioneve të siguruara nga portali Nova.rs, vizita e Vuçiqit në SHBA është cilësuar si një debakël i plotë. Gjegjësisht, i gjithë delegacioni serb ka mbetur pa pjesëmarrje në darkën gala të organizuar në kuadër të Komitetit Nacional Republikan, gjë që në qarqet diplomatike po interpretohet si një shuplakë e rëndë politike.

Njoftime ambicioze pa mbulim

Para se të udhëtonte për në Amerikë, Vuçiq deklaroi publikisht se kishte konfirmim për takime me të gjithë përfaqësuesit e rëndësishëm të Partisë Republikane, përfshirë edhe presidentin amerikan Donald Trump. Ai paralajmëroi bisedime për një gamë të gjerë temash – nga rrethanat gjeopolitike e deri te presionet me të cilat po përballet Serbia, siç thotë ai. “Pavarësisht presionit të madh nën të cilin jam, unë dua t’ia paraqes synimet e mia Trumpit”, tha Vuçiq.

Megjithatë, asnjë nga këto nuk ndodhi. Gjatë gjithë qëndrimit të tij në SHBA, Vuçiq nuk u takua me Trump apo ndonjë zyrtar tjetër të rëndësishëm republikan.

“Ai shkoi atje për të kërkuar mbështetjen amerikane dhe për të shfrytëzuar hendekun midis SHBA-së dhe Evropës, për të marrë një lloj mbrojtjeje nga Trump, veçanërisht para vizitës së planifikuar në Moskë dhe në kontekstin e kushteve të brendshme në Serbi”, tha burimi për portalin Nova.rs, duke shtuar se pjesëmarrja e planifikuar në mbrëmjen gala është anuluar gjithashtu.

Në delegacion ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe ish-ambasadori në Uashington, Marko Gjuriq, i cili gjithashtu nuk do të marrë pjesë në këtë ngjarje.

Vizitat janë mbajtur në minimum

Kontaktet e fundit të Vuçiqit gjatë qëndrimit të tij në SHBA ishin me kongresmenen Claudia Tenney, ish-guvernatorin Rod Blagojevich dhe disa sipërmarrës serbë nga diaspora. Lista e takimeve është shumë nën pritshmëritë dhe njoftimet e mëparshme nga Beogradi.

Duke qenë se vizita përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, lind pyetja se sa u kushtoi qytetarëve të Serbisë një “udhëtim në botën e bardhë” . Vuçiq udhëtoi për në Florida me një avion ultraluksoz Falcon 6X, vlera e tregut të të cilit është rreth 53 milionë euro.

Deputeti i pavarur dhe themeluesi i Asociacionit Amerikano-Serb, Zharko Ristiq, ka thënë për gazetën Danas se pjesëmarrja në ngjarje si Komiteti Kombëtar Republikan paguhet paraprakisht, përmes të ashtuquajturve kontribute.

“Ngjarje të tilla janë një formë e mbështetjes dhe financimit politik, e cila është e ligjshme dhe e zakonshme në SHBA. Për një ngjarje specifike, pjesëmarrja është vendosur midis 44,000 dhe 440,000 dollarë, në varësi të paketës,” tha Ristiq. /Ballkani.info/