Mediat serbe: Berisha ia ka kërkuar Haradinajt 100 veta për t’i dalë në pritë Vuçiqit

Mediat serbe pro-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë quajtur ekstremistë ata që po protestojnë sot në Tiranë kundër vizitës së kreut të shtetit serb, i cili do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kryeministrin në detyrë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në kuadër të nismës së përbashkët, “Ballkani i Hapur”.

“Novosti” shkruan se ish-kryeministri shqiptar, Sali Bersiha e ka kontaktuar personalisht ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj “për të siguruar praninë e së paku 100 personave nga Kosova në protestë”.

Duke u thirrur në burime, mediumi serb thotë se një pjesë e protestuesve do ta presin në rrugë eskortën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq kur ai do të vijë prej aeroportit.

Nga Kosova, në protestën e sotme në Tiranë publikisht është parë vetëm ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, e cila tha se “Ballkani i Hapur” është thikë pas shpine për Kosovën dhe shqiptarët, ndërsa i kërkoi kryeministrit shqiptar, Edi Rama ta anulojë, atë që ajo e ka quajtur “pakt” me presidentin serb.