Mediat ruse i japin hapësirë të madhe fjalimit vjetor të Vuçiqit, ja çka iu intereson atyre

Konferenca vjetore e mbrëmshme e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, siç pritej, tërhoqi vëmendjen edhe të mediave ruse.

Në plan të parë, agjencitë dhe portalet pranë Kremlinit kanë vënë njoftimin e Vuçiqit për shtimin e numrit të forcave speciale në ushtri, si dhe faktin se Serbia ka marrë furnizime me armë nga një shtet, por ai nuk ka specifikuar se cili.

“Ne morëm dërgesat e para të armëve nga një vend perëndimor, lëshuesit dhe raketat për të cilat kemi paguar,” tha ai, njoftuan agjencia e lajmeve Vedomosti dhe Tass.

“Këtë vit një nga fushat prioritare për Serbinë është forcimi i ushtrisë. Ata posaçërisht planifikojnë të rrisin numrin e forcave speciale ushtarake dhe të rrisin pagat”, shkruan RBC, duke sqaruar se masa të tilla po futen në sfondin e “përkeqësimit të mëtejshëm të situatës së fundit në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Më herët, në kufi, shkruan RBC, “ka pasur një konflikt mes forcave të rendit serb dhe demonstruesve të cilët organizuan një tubim pranë postbllokut Jarinje, ku misioni i NATO-s shtoi numrin e patrullave të saj”. Disa ditë më vonë, konflikti u zgjidh pasi presidenti i Serbisë iu drejtua demonstruesve me kërkesën për të çmontuar barrikadat”.

Mediat ruse kanë regjistruar deklaratën e Vuçiqit se ishte “mezi e mundur” të ruhej paqja dhe stabiliteti në marrëdhëniet me Kosovën dhe se “prova të vështira” ishin përpara. Sipas Vedomostit, Vuçiq ka theksuar se Serbia nuk po ikën “nga të gjitha marrëveshjet që kemi nënshkruar”.

Përveç rritjes së numrit të forcave speciale në ushtrinë ruse, Gazeta raporton parashikimet e Vuçiqit të ngjashme me ato që shpesh bëjnë mediat pranë Kremlinit – se “ditë të zeza po i vijnë botës”, ndërsa Serbia/Rusia po rrjedh me “mjaltë dhe qumësht”.

Viti i ardhshëm, tha Vuçiq, përcjell gazeta.ru, mund të jetë edhe më i vështirë për Evropën dhe botën se ai i mëparshmi.

“Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po i afrohen recesionit, ritmet e rritjes po bien në Kinë”. Evropa do të përballet me vështirësi në furnizimin me ushqime, kataklizma, ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të krizës globale të energjisë. Fatura e energjisë elektrike në Austri është katërfishuar”, citohet Vuçiq nga mediat ruse.

Mediat e Moskës raportojnë se 106 shtete nuk e njohin Kosovën, “84 e njohin pa mëdyshje”, qëndrimi i tre vendeve nuk dihet mirë dhe se nëntë të tjera e kanë tërhequr njohjen. “Ne presim të dhjetën”, ka thënë Vuçiq, transmeton Gazeta, duke kujtuar intervistën e fundit të ministrit të Jashtëm Ivica Daçiq për Novosti-n, kur ai tha se dhjetë vende e kishin tërhequr njohjen e Kosovës.