Mediat në Gjermani: Rashica e preferon kalimin te kjo skuadër

Milot Rashica pritet të largohet nga Werder Bremeni gjatë verës që vjen. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës është i gatshëm për ta bërë hapin e radhës në karrierë.

Mediumi gjerman Deich Stube shkruan se futbollisti ofanziv i krahut mund të transferohet në Premierligë. Interesim për përfaqësuesin kosovar kanë shfaqur Liverpooli dhe Southamptoni në Angli.

Mirëpo, 23-vjeçari do ta preferonte më shumë transferimin në “Anfield” pasi dëshiron të luajë rregullisht në garat evropiane.

Tek Sothamptoni, ai do ta kishte të garantuar vendin e titullarit, ndërsa në Liverpool s’do të kishte punë të lehtë për ta arritur këtë.

Rashica vlerësohet nga 35 deri në 40 milionë euro dhe për këtë shifër Werder Bremeni mund ta shesë gjatë verës.

Në Liverpool, ish-futbollisti i Vushtrrisë dhe Vitesses shihet si zëvendësues i Xherdan Shaqirit, i cili pritet të largohet nga “Të Kuqtë” në fund të sezonit.

Werder Bremeni po kalon momente të vështira këtë edicion dhe Rashica do të mundohet ta shpëtojë ekipin aktual, para se të largohet nga Gjermania.