Më në fund lajm i mirë për Kombëtarën e Kosovës

Dy yjet e “Dardanëve” vijnë nga lëndimet e rënda dhe afatgjate, janë në kërkim të formës optimale

Përfaqësuesja e Kosovës mund të pasurohet për ndeshjen që do ta zhvillojë pas dy javësh me Maqedoninë e Veriut.

“Dardanët” do ta zhvillojnë më 26 mars njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme në histori, e cila mund t’i afrojë ata edhe më shumë me Euro 2020.

E për këtë ndeshje, trajneri Bernard Challandes ka gjasa që do të mund të llogarisë edhe në dy yje.

Bëhet fjalë për Arbër Zenelin dhe Hekuran Kryeziu. Të dy futbollistët e rëndësishëm kishin pësuar lëndime të rënda dhe afatgjate vitin e kaluar.

Mirëpo, ata janë duke e marrë veten dhe po shpresojnë të jenë të gatshëm dhe në formë për ndeshjet e fazës finale të Ligës së Kombeve.

Menaxheri i Përfaqësueses, Bajram Shala i ka thënë “Gazetës Express” se dy mesfushorët kualitativë mund të jenë pjesë e “Dardanëve” për duelin e Shkupit.

“Si Arbëri, ashtu edhe Hekurani, duke qenë se tashmë janë rikuperuar nga lëndimet e tyre, tash janë kandidatë, ashtu si edhe të gjithë futbollistët tjerë që janë kandidatë për Kombëtare. Kurse, në fund vendimin do ta marrë selektori, bazuar në nevojat e ekipit”, theksoi Shala.

Të dy lojtarët i kanë zhvilluar nga disa minuta me ekipet përkatëse, Arbëri te Reimsi dhe Hekurani në Zurich, ndërsa shpresojnë të luajnë edhe në dy xhirot e ardhshme para angazhimit me Kosovën, për të pasur sadopak vazhdimësi dhe më shumë minuta në këmbët e tyre.

Verdhekaltrit do të luajnë në gjysmëfinale me Maqedoninë e Veriut më 26 mars në Shkup pa praninë e shkuesve.

Ndërsa, në finalen eventuale do të takohen me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë më 31 mars.