Me gjithë mungesat, Challandes thotë se do t’i qëndrojë besnik filozofisë së lojës së Kosovës

Me gjithë mungesat e mëdha, Bernard Challandes ka këmbëngulur se nuk do ta ndryshojë sistemin dhe filozofinë e lojës së Kombëtares së Kosovës në dy ndeshjet kualifikuese të këtij muaji kundër Republikës së Çekisë dhe Anglisë.

Challandes do të këtë kokëçarje për t’i zëvendësuar mungesat e mëdha, veçanërisht Arbër Zenelin dhe Milot Rashicën në krahët e sulmit, si dhe mesfushorët qendrorë Hekuran Kryeziun dhe Herolind Shalën, por thotë se do të luajë me skemën e njëjtë të lojës.

Në mungesë të dyshes anësore, trajneri zviceran i ka ftuar Florent Muslijan e Hannover 96 dhe Bernard Berishën e Akhmat Grozny, të cilët po kalojnë formë të mirë me skuadrat e tyre përkatëse në Bundesliga 2 dhe Premierligën ruse. Në mesfushë, ndërkohë, atë e gëzon fakti se do të mundë të llogarisë në Valon Berish e Lazios që është riaftësuar plotësisht nga lëndimi.

I pyetur se a do ta ndryshojë sistemin e lojës në dy ndeshjet e Grupit A kualifikues ndaj Republikës së Çekisë më 7 shtator në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë dhe ndaj Anglisë pas tri viteve në Southampton, Challandes këmbënguli se do t’i besojë filozofisë që i ka sjellë sukses verdhekaltërve duke krijuar një ecuri prej 14 ndeshjeve pa humbje.

“Nuk e ndryshoj sistemin dhe filozofinë e lojës. Ky sistem dhe kjo filozofi na ka sjellë sukses. Por do të luajmë ndaj dy ekipeve të forta. Natyrisht se nuk do të luajmë futboll sulmues ndaj Anglisë sepse ajo e mban topin shumë, por ne do të bëjmë përpjekjet tona”, tha Challandes të dielën në një konferencë për media”, tha Challandes të dielën në një konferencë për media në Prishtinë.

Ai foli edhe për të dy kombëtaret kundërshtare, duke thënë se i ka studiuar ato, sidomos Republikën e Çekisë.

“I kam studiuar të dy ekipet, veçanërisht Republikën e Çekisë. Ka bërë dy paraqitje të mira në dy ndeshjet e fundit duke i fituar gjashtë pikë. Është ekip shumë i mirë në mbrojtje që do të na shkaktojë probleme në mbrojtje. Është shumë e fortë fizikisht dhe ka katër apo pesë lojtarë të shtatlartë, ndërsa ne i kemi futbollistët shtatshkurtër”, shtoi ai.

loading…