Me fitore të vështirë ndaj Istogut, Trepça siguron mbetjen në Superligë

Skuadra e Trepçës do të jetë anëtare e Superligës së Kosovës në basketboll edhe për sezonin tjetër. Ekipi mitrovicas e ka fituar edhe ndeshjen e dytë të plejofit kundër skuadrës së Istogut.

Dueli i dytë i luajtur të enjten në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, përfundoi me shifrat 94:85 në të mirë të Trepçës.

Me këtë fitore, Trepça edhe sezonin tjetër do të garojë në elitën e basketbollit kosovar pasi edhe ndeshjen e parë ka triumfuar bindshëm ndaj Istogut (99:70).

Besnik Azemi e Dino Butorac ishin më të dalluarit të Trepça pasi ndeshjen e mbyllën me nga 17 pikë të shënuara për kokë. Me lojë të mirë te vendasit, u veçuan edhe Burim Zekiqi e Drilon Hajrizi me nga 15 pikë të realizuara.

Në anën tjetër, te Istogu më të dalluarit ishin Ardit Pepaj e Diamant Shabani. Si Shabani ashtu edhe Pepaj ndeshjen e mbyllën me nga 26 pikë të shënuara për kokë.