Hasan Dakaj

Me çfarë akuza po e mban në paraburgim shteti serb ish-ushtarin e UÇK që e arrestoi në Merdare

Të premten e javës së shkuar në pikën kufitare në Merdarë është arrestuar ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj. Të hënën më 8 janar atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji në Serbi.

Sipas burimeve të Gazetës Express, autoritetet serbe ende nuk ia kanë dërguar aktakuzën familjes Dakaj.

Ky burim gjithashtu bën të ditur Dakaj, gjithmonë sipas avokatit që i është caktuar në Serbi, po akuzohet mbi pretendimet se gjatë luftës e ka ndaluar një veturë me tre civilë serbë, nga të cilët, sipas avokatit, “njëri është vrarë, njëri maltretuar dhe tjetri ka ikur”.

Gjithë këto pretendime kundër Dakajt po bazohen në një dëshmi verbale të një dëshmitari, pa ndonjë dëshmi tjetër faktike apo ndonjë dëshmitar.

Hasan Dakaj gjendet në paraburgim në burgun qendror dhe avokati i tij është caktuar sipas detyrës zyrtare, ndërkohë avokati në Kosovë s’ka kurrfarë qasje.

Serbia po vazhdon ta mbajë në burg edhe Nezir Mehmetajn, gjyqi i të cilit po zvarritet në mungesë të provave dhe dëshmitarëve.