Më 2019 buxheti për komunat do jetë 40 milionë euro më i madh se sivjet, thotë Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në kuadër të “Forumi Konsultativ Qeveri – Komuna” ka konfirmuar se komunat do të kenë buxhet më të madh në vitin e ardhshëm.
“Buxheti për Komunat për vitin 2019 parashihet të jetë 531 milionë euro, 40 milionë euro më shumë nga viti i kaluar. Nga këto mjete mbi 14 milionë euro më shumë janë paraparë për fushën e arsimit dhe mbi 4 milionë euro më shumë për atë të shëndetësisë. Ne, na presin edhe shumë punë të tjera të përbashkëta, por ky është veprimi i duhur i radhës, pjesë e zotimit tonë për të vendosur një bashkëpunim të mirë mes Qeverisë dhe Komunave, në të mirë të qytetarëve tanë”, ka thënë Haradinaj, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Në këtë takim, Haradinaj tha se nga puna e përbashkët e këtij forumi, është arritur që nga Qeveria të kuptohen veprimet që mund të ndërmerren, të cilat do të jenë me dobi për punën e komunave.
Sipas tij në fillim kanë identifikuar ato që kanë të bëjnë me aspektin e pronave, të buxhetit e deri te procedurat e Prokurimit.
“Gjatë kësaj periudhe të përbashkët, janë marrë mbi 50 vendime, që lidhen me pronat, zonat ekonomike dhe shpronësimet në këtë periudhë, po ashtu janë aprovuar tri ligje: Për dhënien në shfrytëzim të pronës, Trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe Ligji për Prishtinën; Ligji për Obiliqin, dy koncept-dokumente për financat e pushtetit lokal dhe teatrot; vendime që lidhen me zonat ekonomike, parqet e biznesit, si Zona Ekonomike Amerikane, Parku Inovativ dhe Trajnues në Prizren; 30 shpronësime të pronave me interes të komunave dhe afro 30 vendime për bartjen e pronave te komunat”, tha Haradinaj, duke shtuar se është vazhduar me kornizën buxhetore 2019-2021 dhe se duhet të shfrytëzohet rasti sot, që të gjenden mënyrat për t’i kryer punët që presin dhe Qeveria do të jetë në përkrahje të vazhdueshme për të gjitha komunat për projektet zhvillimore që kanë.
Haradinaj tha se tema, që është me rëndësi të madhe dhe që ka të bëjë me marrëdhëniet e komunave me investitorët, të cilat kanë menduar që huaja nga ta të merret direkt dhe të drejtohet në projekte, tani në bazë të Ligjit për financa, huaja duhet të merret nga niveli nacional, por projektet nuk ndryshohen.
“Prandaj, nga ky takim, nga niveli nacional që është prezent këtu, duhet të dëgjohen me vëmendje temat që lidhen me sektorin financiar dhe të kujdesen në të ardhmen për ju, për komunat”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, ka thënë se ka vetëm një apel ndaj kryetarëve të qyteteve, që projektet të cilat kanë filluar, të përfundojnë para fundit të këtij viti.
Disa prej çështjeve që janë ngritur dhe diskutuar nga kryetarët e komunave, për të cilat u kërkua zgjidhje dhe ndihmë nga Qeveria e Kosovës, ishin ato të huave financiare; vendimi për ndaljen e ngrohjes me thëngjill; çështja e pronës komunale, për të cilën u tha se ky vendim i Qeverisë ka lehtësuar shumë punën e komunave në mirëfunksionim; pastaj thjeshtësimi i procedurave burokratike për hapje të bizneseve; shërbimet shëndetësore; çerdhet e reja; menaxhimi i pyjeve; kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore; uji i pijes; impiantet e ujërave; dhe çështje me rëndësi vitale për qytetarët e Kosovës.
Haradinaj ka shprehur mbështetjen e qeverisë për të gjitha çështjet e adresuara nga kryetarët e komunave, për tejkalimin e tyre, duke kërkuar përshpejtimin e përmbylljes së punëve të filluara.
Pas këtij takimi, kryeministri në një konferencë për media, me disa prej kryetarëve të komunave, tha se kjo qeveri është e hapur për të gjitha temat që adresohen nga ana e Komunave.