Trepça '89

Më 15 nëntor do të bëhet përurimi i shtatores së Erion Kajtazit

Klubi mitrovicas Trepça ’89, më 15 nëntor, saktësisht në ditëlindjen e tij do ta bëjë përurimin e shtatores së futbollistit tashmë të ndjerë, Erion Kajtazi.

Shtatorja do të vendoset tek stadiumi me bari sintetik afër liqenit akumulues, ku siç dihet kjo fushë e futbollit mban emrin “Erion Kajtazi”.

Ceremonia e zbulimit të shtatores do të fillojë nga ora 12:00.

17-vjeçari ka ndërruar jetë në dhjetor të vitit të kaluar.

Talenti i madh i futbollit kosovar ka qenë duke luajtur në ndeshjen A&N – Trepça’89, në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve, kur në një moment ka rënë pa vetëdije në fushë.

Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak.

Ai është konsideruar një ndër futbollistët më premtues në Kosovë derisa ka qenë pjesë edhe e grupmoshave të reja të Kosovës.

Njoftimi pa ndërhyrje i Trepçës ’89:

Nën patronatin e Presidentit të KF Trepça’89 FC z. Abedin Zeka dhe me iniciativën e klubit dhe familjes Kajtazi, me datën 15 nëntor, saktësisht në ditëlindjen e tashmë të ndjerit

Erion Kajtazi:

Do të vendoset Shtatorja tek stadiumi me bari sintetik afër Liqenit Akumulues, ku siç dihet kjo Fushë e Futbollit mban emrin ERION KAJTAZI.

Ceremonia e zbulimit të Shtatores do të fillojë nga ora 12:00 dhe ftohen të gjithë të interesuarit të marrin pjesë dhe të madhështojnë këtë ngjarje.