Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, tha sot se Bashkimi Evropian ka gabuar në procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i ka përmbushur premtimet e veta, por gjithashtu ka vlerësuar se Serbia nuk ka përparuar fare në rrugën drejt integrimit evropian në vitet e fundit.
Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, tha sot se Bashkimi Evropian ka gabuar në procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i ka përmbushur premtimet e veta, por gjithashtu ka vlerësuar se Serbia nuk ka përparuar fare në rrugën drejt integrimit evropian në vitet e fundit.
McAllister kërkoi sërish hetim për akuzat për vjedhje të zgjedhjeve në zgjedhjet e dhjetorit dhe vlerësoi se Serbia ka ende “një rrugë të gjatë për të bërë” para hyrjes së mundshme në Bashkimin Evropian.
“Për arsye krejt të ndryshme, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë shumë pak progres në procesin e reformave. Nga ana tjetër BE-ja bëri premtime që nuk u realizuan”, ka thënë McAllister për televizionin gjerman “Welt”, përcjellë Ballkani.info.
“Shikoni Maqedoninë e Veriut, për shembull, e cila ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2005,” tha McAllister. Ai shtoi se vendi ndryshoi emrin nën presionin e Greqisë në vitin 2019, por se negociatat e anëtarësimit me BE-në, në kundërshtim me premtimet e asaj kohe, nuk janë hapur deri më sot.
“Si Bashkimi Evropian, ne nuk duhet t’i lejojmë vetes zona të tilla gri në politikën e zgjerimit”, tha kreu i Komitetit për Politikë të Jashtme (AFET).
McAllister ka komentuar ashpër situatën në Serbi, duke thënë se ajo nuk ka bërë asnjë përparim në procesin e integrimit evropian në vitet e fundit.
“Duhet një hetim i plotë i zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit. Baza për këtë është raporti përfundimtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, tha McAllister.
Ai shtoi se Parlamenti Evropian “kërkon nga Serbia përparim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, në fushën e lirisë së medias, në forcimin e opozitës parlamentare dhe në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës”.
“Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në – përfshirë politikën e sanksioneve. Ai vend ka ende një rrugë të gjatë për të bërë përpara hyrjes së mundshme në BE”, tha McAlister.
Me rastin e situatës së tensionuar të sigurisë në Evropë, McAllister u bëri thirrje bizneseve që të fokusohen më shumë në prodhimin e materialit ushtarak.
“Kjo luftë nuk do mbeten pa pasoja edhe për ekonominë evropiane”, tha McAllister, duke shtuar se BE-ja duhet t’i japë ndihmë më të madhe Ukrainës dhe në të njëjtën kohë të forcojë potencialin e saj mbrojtës dhe se kjo kërkon një transformim gjithëpërfshirës industrial. /Ballkani.info/







