Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Eric Bailly, do të jetë jashtë fushave të blerta për katër deri në pesë muaj për shkak të lëndimit që e kishte pësuar në ndeshjen kundër Tottenhamit gjatë turneut parasezonal.

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, bëri të ditur, pas fitores 1-0 kundër Kristiansund, se Eric Bailly e kishte bërë operacionin gjurin, të cilin e kishte lënduar gjatë ndeshjes kundër Tottenhamit në International Champions Cup.

“Ericu e ka bërë një operacion dhe do të jetë jashtë për katër deri në pesë muaj. Shpresoj se do ta kemi atë sërish në skuadër gjatë kohës së Krishtlindjeve”, u shpreh Solskjaer.

“Nga operacioni morëm lajme pozitive, ai e bëri operacionin sot në mëngjes. Ai ishte shumë pozitiv dhe gjithçka kishte shkuar mirë, kështu që ai do të jetë në rregull”.

Bailly kishte luajtur nga pjesa e dytë e ndeshjes kundër Tottenhamit, të enjten, mirëpo një problem me gju vetëm nëntë minuta më vonë bëri që ai të mos mundë ta vazhdojë ndeshjen. Bailly kishte tentuar të mos e lejojë Heung-Min Sonin të shënojë.

Mbrojtësi 25-vjeçar u largua nga stadiumi “Hongkou” në Shanghai me paterica dhe një mbrojtëse për gju, pas fitores me rezultat 2-1 të “Djajve të Kuq”.

Bailly vetëm sa ishte kthyer nga lëndim i ligamenteve, të cilët e kishte pësuar në prill në ndeshjen kundër Chelseat. Ai ishte detyruar të mungojë në skuadrën e Bregut të Fildishtë në Kupën e Kombeve të Afrikës për shkak të këtij problemi.

Pasi mungoi në ndeshjen e parë të turneut parasezonal, kundër Perth Gloryt, Bailly luajti në dy ndeshjet e radhës, kundër Leeds Unitedit dhe Interit.

Bailly ka qenë i lënduar për një pjesë të madhe të kohës që e ka kaluar në “Old Trafford”. Sezonin e kaluar, këto lëndime bënë që ai të luajë si titullar vetëm tetë herë në Premierligë.