Mbrojtësi i Manchester Cityt tallet për “Luftën e Tretë Botërore”, pendohet menjëherë

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Aymeric Laporte, u tall në llogarinë e tij në Twitter për “Luftën e Tretë Botërore” mbrëmjen e së martës, mirëpo shpejt u pendua për këtë veprim dhe e fshiu “tweet-in”.

Mbrojtësi i lënduar Aymeric Laporte ishte aktiv në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Twitter, gjatë kohës sa skuadra e tij, Manchester City, po luante në gjysmëfinalen e parë të Carabao Cup kundër Manchester Unitedit.

Pas ndeshjes, ai e mori vëmendjen e tifozëve me një postim kontrovers në llogarinë e tij, duke u tallur për “Luftën e Tretë Botërore”. Më vonë, ai e fshiu këtë postim, mirëpo jo para se tifozët ta ruanin si fotografi.

“Kur të ftojnë për t’iu bashkuar ushtrisë #jo #WWII”, shkroi Laporte, mbi një video ku shihet ai duke sinjalizuar jo me dorë.

Manchester City do të shpresojë ta ketë sërish në skuadër Laporten sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi që 25-vjeçari është ende në proces shërimi nga lëndimi i tij i gjurit.

Por, mungesa e tij në skuadrën e Pep Guardiolës nuk u vërejt në ndeshjen e së martës kundër Manchester Unitedit, kur City fitoi me rezultat 1-3 në Old Trafford.