Ylli kosovar

Mbreti i pasimeve, Xhaka, mahnit me vlera të tjera

Granit Xhaka – Bayer Levekruseni po del të jetë një bashkëpunim shumë i suksesshëm. Leverkuseni është ende pa humbje, ndërsa kapiteni i Zvicrës po e kryen punën me sukses të plotë në mesin e fushës, shkruan “Blick”. Në fitoren 2:0 ndaj Wolfsburgut, që ishte e 21-ta në 25 ndeshje të këtij edicioni në Bundesligë, 31-vjeçari Xhaka ka regjistruar të arritur tjetër kulmore, si askush tjetër në Evropë.

Nga 89 pasime në zonën dhe rreth zonës së kundërshtarit, Xhaka ka bërë 87 pasime të sakta. “Sofascore” ka shikuar në statistika dhe erdhi në përfundim: Në top-pesë ligat evropiane (Premier League, Serie A, La Liga, Bundesliga, Ligue 1) askush nuk ka shifër që i afrohet asaj të Xhakës, që nga fillimi i edicionit 2015/16. Rekordi i mëparshëm ishte 77 pasime të suksesshme në zonën e rrezikshme të kundërshtarit. Xhaka i ka bërë plot 87 pasime të suksesshme, pra që kanë shkuar te bashkëlojtarët.

Xhaka ishte impresiv gjatë gjithë edicionit në Bundesligë sa i takon përqindjes së pasimeve të sakta. Mesatarisht ai bën 94,34 pasime për ndeshje te Leverkuseni në të gjitha garat. Dhe saktësia e pasimeve të tij është gati 93 për qind. Ndaj Wolfsburgut, Xhaka i kishte 165 pasime, 160 prej të cilave përfunduan në këmbët e bashkëlojtarëve. Pra, kishte saktësi prej 97 për qind.

Me totalin prej 2597 pasimeve, Xhaka është lider i vetmuar në Bundesligë. Waldemar Anton i Stuttgartit është i dyti me gati 700 pasime më pak.

Edhe në Evropë, Xhaka udhëheq sa u takon pasimeve të bëra. Rodri i Manchester Cityt i afrohet me 2504 pasime.

Leverkuseni të dielën e bëri edhe një hap shumë të rëndësishëm drejt titullit të kampionit në Gjermani. Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe nëntë xhiro, ndërsa Leverkuseni i ka dhjetë pikë më shumë se Bayerni.

Te Leverkuseni kanë thënë se po merren vetëm me paraqitjet e tyre e jo me ndeshjet e Bayernit. Edhe Xhaka është pyetur të dielën për ndeshjen e Bayernit, që fitoi 8:1 një ditë më herët.

“Nuk jam i interesuar. Deri më sot nuk kemi shikuar të tjerët, vetëm veten. Kjo nuk ka të bëjë me arrogancë. Ne meritojmë të jemi këtu pasi kemi shikuar vetëm veten në 25 xhirot e deritashme. Për sa kohë që e bëjmë punën tonë, nuk brengosemi për rezultatet e tjera”, ka theksuar Xhaka.

Ai po e kryen shumë mirë punën që po i takon. Dhe po jep kontribut të madh në kampanjën që pritet të jetë historike për Bayer Leverkusenin.