Mbi 40 mijë € të ministrisë së Sveçlës jepen për biznesmenin e afërt me VV-në, të akuzuar për falsifikim

Kompania që drejtohej nga Tahir Sopa, miku i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, është shpërblyer me 42 mijë euro tender nga ministria e Xhelal Sveçlës. Sopa si drejtues i kompanisë, NBT-ING, është akuzuar nga prokuroria për falsifikim dokumentesh, vetëm dy muaj para se ta merrte tenderin e MPB-së për renovim të bufesë dhe kulmit të saj. Afërsia me VV-në dhe aktakuza ndaj Sopës, nuk e ka ndaluar MPB-në që në shtatorin e vitit të kaluar të nënshkruaj kontratën me NBT-ING

Me 30 shtator të vitit të kaluar Ministria e Punëve të Brendshme, që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla e ka shpërblyer me kontratë kompaninë që drejtohej nga Tahir Sopa, miku i afërt i deputetit të Vetëvendosjes, Salih Zyba.

Kompania “NBT-ING”, që e ka bazën në Suharekë, prej nga vijnë edhe Sopa e Zyba, e mori tenderin e MPB-së në vlerë të 42 mijë eurove.

Ky tender i është dhënë “NBT-ING” nga Ministria e Brendshme për renovimin e bufesë dhe kulmit të saj, shkruan Gazeta Insajderi.

Përveç afërsisë miqësore mes Zybës e Sopës, edhe bashkëshortja e këtij të fundit ishte kandidate për asmabliste nga Vetëvendosja në zgjedhjet e vitit 2017. Vetë Zyba e pati prezantuar si prurje të re, Lindita Sopën, gruan e Tahirit.

Tenderi mbi 40 mijë eurosh, iu dha NBT-ING, dy muaj pasi që Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Sopër për veprën penale – keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Sopa dyshohet për falsifikim dokumentesh në një tender të madh të shtetit. I njëjti kishte fituar tenderin mbi 800 mijë euro për rinovimin e objektit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës – me dokumentet e falsifikuar siç pretendon prokuroria.

Pavarësisht afërsisë së Sopës me partinë në pushtet e deputetin Zyba, dhe aktakuzës për falsifikim, kjo nuk e ka ndaluar Ministrinë e Punëve të Brendshme, që vetëm dy muaj pas këtij zhvillimi nga organet e drejtësisë, ta shpërblej me kontratë kompaninë “NBT-ING”.

Gazeta Insajderi, lidhur me këtë çështje ka kërkuar sqarim nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Por, as zyra për informim e as ajo e prokurimit, deri në momentin e publikimit të tekstit nuk kanë treguar nëse ka ndikuar afërsia e Sopës me Vetëvendosjen që kjo kompani ta fitojë tenderin e MPB-së.

Ky institucion nuk ka treguar as se cilat kritere i ka plotësuar kompania dhe pse i dha tender pikërisht kompanisë, drejtuesi i së cilës është akuzuar për falsifikim.

Aktakuza ndaj Sopës për falsifikim të dokumentit për tenderin mbi 800 mijë eurosh 

Tahir Sopa, ishte arrestuar nga policia e Kosovës, si i dyshuar për mashtrim, falsifikim, dhe keqpërdorim në prokurim publik, në dhjetor të vitit 2020.

Disa muaj pas arrestimit, në korrik 2021, ndaj Sopës u ngrit akuza për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik.

Sipas aktakuzës Sopa duke përdorur dokument të falsifikuar, ka arritur të fitojë tenderin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, në vlerë prej 811 mijë euro. Kompania që e përfaqësonte Sopa duhej ta bënte renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale në Kosovë, shkruan Insajderi.

Pasi e fitoi tenderin, Sopa u zbulua se kishte falsifikuar dokumentin “Letër përkrahje” të datës 12.12.2019 të bankës NLB me të cilin gjoja se banka i ka siguruar përkrahje kompanisë së tij në vlerë prej 200 mijë euro.

Njëra nga kushtet për përmbushjen e kontratës ka qenë një deklaratë që vërteton disponueshmërinë e 200 mijë euro në llogarinë bankare, si vlerë për të siguruar tenderin.

Prokuroria e akuzon Sopën se me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, duke e paraqitur këtë dokument të rremë.

Si pasoje e këtij veprimi të tij, sipas prokurorisë i ka shkaktuar dëm buxhetit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Gjykimi ndaj Sopës lidhur me këtë rast ka nisur vitin e kaluar.

Foto nga gjykimi i Sopës: Betimi për Drejtësi

Në një seancë që është mbajtur gjatë muajin maj, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Sopa ka deklaruar se e kishte njoftuar bankën që ka dorëzuar një dokument të lëshuar më herët nga ajo ne një procedurë tenderuese me datën e ndryshuar.

‘‘Në fillim të shtatorit 2020, e kam njoftuar bankën NLB, se kam bërë një lëshim teknik, përkatësisht kam dorëzuar letër përkrahjen në dosje të tenderit, e të cilën letër përkrahje, e kam nxjerrë nga format e mëparshme të lëshuara nga banka dhe të njëjtës unë ja kam ndërruar datën’’, ka deklaruar i akuzuari Sopa.

Sipas tij, këtë  njoftim banka e kishte mirëpritur si dhe ju kishte thënë të njëjtëve se ‘nëse është bërë një dëm do t’ju përgjigjem në çfarëdo forme’.

Sopa ka thënë se ishte thirrur nga hetuesia në dhjetor 2020, për këtë dokument dhe se në deklarimin e parë në polici tha se i kishte pranuar veprimet e tij lidhur me letër përkrahjen.

Ai sqaroi se kompania e tij ‘‘NBT ING SHPK’’ kishte fituar tenderin për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale pasi që kishin pasur ofertën më të lirë, duke plotësuar kështu sipas tij kushtin kryesor për fitimin e tenderit.

Në vazhdim ai tha se para dorëzimit të aplikimit për këtë tender ai nuk kishte qenë prezent në Kosovë.

‘‘Kur jam kthyer ka qenë koha shumë e ngushtë për përgatitje të dokumentacionit të tenderit për aplikim, në afekt të kohës e kam lëshuar një gabim, gjithherë me vetëdije që nuk ka me pas dëme materiale apo keqpërdorim në procedurë të prokurimit’’, tha i njëjti.