Mbi 31 mijë raste aktive me COVID-19 në Kosovë, të shtunën hyjnë në fuqi masat e reja

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të premten (4 shkurt) për masat e reja kundër COVID-19 që do të hyjnë në fuqi nga e shtuna (5 shkurt).

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, ndryshime do të ketë në masat aktuale lidhur me personat që hyjnë në Kosovë, kufizimin e lëvizjes dhe punën e bizneseve.

Me masat e reja, personat që hyjnë në Kosovë duhet të kenë certifikatën e vaksinimit të plotë me dy doza, ose vaksinimin me një dozë së bashku me një test negativ PCR.

Sipas masave të miratuara, bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën, është e obligueshme në të gjitha rastet, në ambientet e mbyllura.

Sa i përket kufizimit të lëvizjes, orë policore do të ketë nga ora 24:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit.

Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00, ndërsa muzika lejohet vetëm deri në orën 22:00.

Qeveria, po ashtu, ka lejuar punën e palestrave që iu ishte ndaluar puna me masat e deritashme.

Rikujtojmë se të premten më 4 shkurt janë regjistruar 1853 raste të reja me COVID-19.

Gjatë kësaj jave është parë një rënie e ndjeshme e numrit të rasteve me COVID-19 në krahasim me javën e kaluar ku rastet ditore kalonin numrin 3 mijë.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.789.127 doza të vaksinës.

Deri më sot 807.383 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Deri më sot janë dhënë 86.437 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Sot janë shëruar 1.639 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 180.407.

Në total numri i rasteve aktive është 31.084.