Mbi 1500 km me biçikleta, dy mërgimtarë nga Gjermania sfidojnë çdo vështirësi për të arritur në Kosovë

Dy mërgimtarë të cilët jetojnë në Bamberg të Gjermanisë morën rrugën e gjatë mbi 1500 kilometra deri ne vendlindje. Ata udhëtuan me biçikleta për 16 ditë për të arritur në Kosovë.

“Ishte eksperiencë e pa imagjinueshme”, shprehën për Ballkani.info Selim Avdiu nga Prishtina dhe Bujar Gashi nga Sferka e Klinës.

Sipas tyre, rruga aq sa e këndshme ishte edhe goxha e vështirë për t’u përshkuar, me situata nga me të ndryshmet, ku në majën më të lartë të Austrisë, që mund të kalohet me veturë ose me biçikletë ata hasën edhe në mot të ligë, me erëra të forta dhe reshje bore.

Dëshira e madhe për të përfunduar këtë mision bëri që të tejkalojnë të gjitha vështirësitë.

Çfarë vlen të theksohet është fakti se rreth 1000 kilometra i kaluan rreth bregdetit keshtu duke përshkuar një pjesë të Italisë, pastaj Slloveninë, Kroacinë e Malin e Zi, për të hyrë në piken kufitare të Kosovës nga Rozhaja e Malit të Zi.

Në kufirin Mal i Zi – Kosovë, ata kanë arritur rreth orës 12:00 dhe, siç thonë Selimi e Bujari, ishte moment i papërshkrueshëm kur shkelën në tokën e Kosovës.

“Këtu frymojmë shumë më shlirë, kaluam shumë vende të bukura, po askund nuk ka si Kosova”, thonë ata. /Ballkani.info/