Mbi 100 të rinj e të reja nga Lipjani vizituan Kompleksin Memorial të UÇK-së në Kleçkë, Shtabin e Përgjithshëm në Divjakë dhe Odën e UÇK-së, ka shkruar Sadri Shala, luftëtari i shquar i kësaj ane.

Sipas tij, gjatë kësaj vizite, të rinjtë u njohën nga afër me historinë e Luftës Çlirimtare, organizimin e saj në këto zona, si dhe me nisjen e delegacionit të Rambujesë për në Francë në vitin 1999. Ata patën mundësi të dëgjonin edhe rrëfime e kujtime nga ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët ndanë përvojat dhe sakrificat e asaj periudhe.

Rinia e Lipjanit është garanci për të ardhmen. E vetëdijshme për historinë dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar liria jonë, ajo është e gatshme të marrë përgjegjësi për të ardhmen e vendit dhe të komunës sonë, duke kontribuar me energjinë, dijen dhe përkushtimin e saj në zhvillimin e shoqërisë dhe forcimin e shtetit tonë.

Faleminderit Rinisë së Lipjanit për organizimin e mrekullueshëm!, ka shkruar në fund Shala.