Mbi 1 mijë e 300 viktima nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe Siri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm ka shkuar në 912, ndërkaq numri i përgjithshëm nga tërmeti që goditi edhe Sirinë, arrin në mbi 1 mijë e 300 persona.

Tërmeti prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë.

Autoritetet në Turqi dhe Siri kanë raportuar po ashtu për mijëra persona të plagosur.

Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.

Ministria e Shëndetësisë e Sirisë tha se 237 persona janë vrarë në provincat e kontrolluara nga Qeveria, në Alepo, Hama dhe Tartus, ndërkaq më shumë se 600 persona të tjerë janë plagosur.

Në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet.

Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një në shkallë prej 6.7 shkallësh të Rihterit.

Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave. Në të dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti dhe ata dolën jashtë në mot të ftohtë, me borë dhe shi, teksa ndërtesat u rrëzuan.

Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij kolapsuan.

“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, ku jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane.

Autoritetet turke thanë se pas tërmetit të parë të fuqishëm janë regjistruar edhe të paktën 20 lëkundje të tjera pasuese.