Mbështetësit e Dodikut nga Banja Lluka kërcënojnë me vdekje përfaqësuesin e Lartë të Bosnjës

I sanksionuari i SHBA-ve dhe paterica e Putinit në Bosnje, Milorad Dodik, ka marrë pjesë në një tubim mbështetës për Republikën Serbe të Bosnjës, që u mbajt në Banja Lluka.

Dodik, që është anëtari i presidencës së Bosnjës tha se ishte krenar që “nuk u thanë fjalë fyese në tubim”, megjithëse në prani të tij u këndua një këngë që kërcënonte me vdekjen e Përfaqësuesin e Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, që ia prishi planin para disa ditësh Dodikut.

Gjatë interpretimit të këngës ku po bëhej thirrje për vrasjen e Schmidtit, Dodik dhe presidentja e Republikës Serbe, Zeljka Cvijanoviq buzëqeshën, transmeton N1 Sarajevo.

Në një prononcim për mediat, Dodik më pas u shpreh se ndihej krenar sepse në tubim nuk u thanë  fjalë fyese.

Sipas vlerësimeve të policisë, në tubim morën pjesë rreth 18 mijë persona, raporton reporteri i H1 nga Banja Lluka.

Të tubuarit kishin veshur tri ngjyrëshe, në Banja Lluka ishin vizatuar mbishkrime në mbështetje të Ratko Mlladiqit, ndërsa në tubim ishte edhe një burrë i cili mbante një pankartë me fytyrën e Mlladiqit, e cila u hoq shpejt.

Prezencë të fortë të policisë vunë re edhe kamerat e H1, ku në çatitë e ndërtesave u vendosën snajperë.

Tubimi u organizua pas vendimit të Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt për pezullimin e Ligjit për pronën e paluajtshme të Republikës Serbe. Arsyeja e tubimit janë sanksionet amerikane dhe britanike kundër Milorad Dodikut dhe Presidentes së RS-së, Zheljka Cvijanoviq. /Ballkani.info/