Mbappe “thyen heshtjen”, flet për herë të parë për talljen që i bëri portieri i Argjentinës

Kylian Mbappe më në fund ka folur për talljen që i bëri portieri argjentinas, Emiliano Martinez, pas fitores së Argjentinës në Kupën e Botës ndaj Francës.

Mbappe shënoi një “hat-trick” në portën e Martinezit në finale si dhe një gol tjetër nga ekzekutimi i penalltive.

Martinez pas triumfit në Kupën e Botës u tall në jo pak raste me yllin francez. Portieri i Aston Villa bëri thirrje për një “minutë heshtje” në dhomën e zhveshjes dhe u fotografua duke mbajtur një kukull me fytyrën e Mbappes në shpinë gjatë festimeve në Buenos Aires.

Veprimet e tij u kritikuan menjëherë nga fansat dhe ekspertët. Trajneri i Villa, Unai Emery pranoi se ai do të fliste me Martinez për sjelljen e tij pas kthimit të tij në Villa Park.

Mbappe ka qëndruar i heshtur gjatë gjithë kësaj. Domethënë deri të mërkurën në mbrëmje.

“Kam biseduar me të pas ndeshjes. E përgëzova. Për të ishte një objektiv jetësor. Edhe për mua, por humba, kështu që duhet të jem një sportist i mirë. Festat nuk janë problemi im, nuk humb kohë për gjëra të tilla të parëndësishme” – tha Mbappe për mediat franceze pas fitores së PSG-së ndaj Strasbourgut në Ligue 1, transmeton Demokracia.com.

Mbappe shënoi golin vendimtar në fitoren e PSG-së të mërkurën mbrëma në minutën e fundit të shtesës nga penalltia.