Mbappe shënon dy gola në fitoren e thellë të PSG-së

Kylian Mbappe ka realizuar dy gola dhe ka asistuar në një tjetër për të udhëhequr Paris Saint-Germainin drejt fitores bindëse ndaj Montpellierit.

Ndeshja e së premtes mbrëma përfundoi 4:0 në të mirë të Parisit.

Ylli Mbappe realizoi për 1:0 në minutën e 34-t pas asistimit të Angel Di Marias. Mbappe në minutën e 60-të asistoi për Neymarin që shënoi për 2:0. Mauro Icardi realizoi për 3:0 në minutën e 62-të, ndërsa Mbappe vetëm një minutë më vonë vendosi rezultatin përfundimtar. Icardi asistoi për golin e dytë të francezit.

Kjo ndeshje e hapi xhiron e 21-të të kampionatit francez. Parisi është i pari me 45 pikë, tri më shumë se Lille. Montpellieri prej minutës së 19-të luajti me një lojtar më pak për shkak të përjashtimit të portierit Jonas Omlin për një ndërhyrje në Mbappen.