Mbappe refuzon të flasë për të ardhmen, Icardi shpreson të qëndrojë te PSG-ja

Kampioni i botës Kylian Mbappe po mban në ankth skuadrën e Paris Saint Germain, pasi në përfundim të ndeshjes së Kupës ndaj Saint Eteinne, refuzoi të flasë për rinovimin e kontratës, që i përfundon në verën e vitit 2022.

Në shënjestër të Real Madridit, por edhe të disa prej klubeve të tjera nga më të fuqishmit e Europës, e ardhmja e Mbappe nuk duket aq e qartë, dhe dyshimet i shton edhe deklarata e tij me sulmuesin që u shpreh: “Tani për tani dua vetëm të luaj futboll dhe të përqendrohem te sezoni aktual. Klubi është mirë, ambienti i qetë dhe stabël, tani nuk është momenti për të folur për zgjatjen e kontratës”.

E ndërkohë që Mbappe lë dyshime për të ardhmen, dikush tjetër i shuan ato. Është pikërisht Mauro Icardi, i huazuar nga Interi, që pas ndeshjes së Kupës konfirmoi dëshirën e tij për të qëndruar te parisienët edhe pas përfundimit të këtij sezoni duke deklaruar.

“Në fund të sezonit do të flasim, por do të isha i lumtur të qëndroja këtu te PSG. Kemi luajtur shumë mirë, dhe ishim të përqendruar. 2020 ka nisur mirë për mua dhe për skuadrën, mund të bëjmë diferencën në çdo moment, jemi një skuadër e vërtetë”, tha sulmuesi argjentinas.