Mbappe pret udhëtim të vështirë në Beograd ndaj Crvena Zvezdës
Ylli i Paris Saint Germain, Kylian Mbappe pret ndeshje të komplikuar në udhëtimim drejt Beogradit për t’u përballur me Crvena Zvezdën, por ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të përfundojnë çështjen e kualifikimit në kryeqytetin serb.
Golat e Bernat dhe Neymar i sollën fitoren parisienëve kundër Liverpoolit, gjersa Milner vetëm sa i dha pak shpresa “The Reds”.
Pas këtij triumfi PSG e ka në dorë fatin e saj dhe me një fitore ndaj Crvena Zvezdës do të kalonte në fazën me eliminim direkt të Champions Leagues.
“Skuadrat e tjera në grup nuk kanë arritur të fitojnë si mysafirë të Crvena Zvezdës kështu që do të jetë e komplikuar. Duhet të kemi intensitet të lartë dhe dëshirë të madhe. Do të ishte katastrofë që të mos arrinim kualifikimin pas kësaj performance ndaj Liverpoolit. Është lehtësim dhe kënaqësi, treguam se mund të reagojmë edhe në ndeshje të nivelit të tillë”, u shpreh Mbappe.
Kur janë zhvilluar 5 ndeshje në grupin C, Paris Saint Germain pozicionohet në vendin e dytë me 8 pikë, 1 më pak se Napoli që kryeson, gjersa Liverpooli ka grumbulluar 6 pikë me nënkampionët që rrezikojnë të eliminohen që në fazën e grupeve të Champions Leagues.