Mbappe i kërkoi falje tifozit me aftësi të kufizuara që e goditi në fytyrë gjatë ngrohjeve

Futbollistët, gjatë karrierës së tyre kanë momente të ndryshme, jo gjithmonë të mira. Një i tilli i ka ndodhur edhe sulmuesit francez, Kylian Mbappe, në prag të fillimit të ndeshjes gjysmëfinale me Marokun.

Një gjuajtje e tij përfundoi mjaft larg portës dhe goditi objektivin e gabuar.

Topi i goditur fort prej tij qëlloi një tifoz francez me aftësi të kufizuara në fytyrë, i cili ndodhej pas portës, në shkallët e stadiumit. Këmba e djathtë e fuqishme e kampionit të PSG-së ishte deri diku fatale.

Mbappe e vuri re menjëherë dëmtimin, ndonëse i pavullnetshëm. Kështu, 23-vjeçari nuk ka shkuar me shokët e skuadrës në dhomat e zhveshjes, por ka pritur që tifozi i “gjelave” të bëhej mirë.

Më pas e përkëdheli si kërkim-faljeje. Tifozi e vlerësoi gjestin e kampionit francez, edhe pse ishte ende shumë i lënduar nga topi i tmerrshëm që e goditi në fytyrë.