Kylian Mbappe

Mbappe është ftuar në një takim me presidentin e Francës dhe emirin e Katarit

Kylian Mbappe është ftuar në një takim sy me sy me presidentin e Francës, Emanuel Macron, dhe emirin e Katarit, Tamim Bin Hamad Al-Thani, ka raportuar mediumi francez Le Parisien.

Edhe presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi, do të jetë gjithashtu i pranishëm në këtë takim.

Një takim pak a shumë i njëjtë kishte ndodhur edhe në vitin 2022 kur kontrata e Mbappes me PSG-në kishte mbaruar.

Ishte presidenti francez ai i cili ia doli që ta bind Mbappen për qëndrim në Francë, andaj sulmuesi rinovoi edhe për dy sezone tjera me PSG-në.

Këtë herë situata duket të jetë më ndryshe sepse Mbappe tashmë e ka ndarë mendjen për largim dhe këtë ua ka bërë të ditur hierarkisë së PSG-së si dhe bashkëlojtarëve të tij.

Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, gjithashtu ka paralajmëruar largimin e Mbappes. Kur u pyet se pse e zëvendësoi francezin herët gjatë ndeshjes në vikend ai tha: Herët apo vonë, në një pikë, ne duhet të mësohemi të luajmë pa Kylian Mbappen.

Në rast se PSG-ja arrin që të bind Mbappen edhe një herë tjetër duke përdorur presidentin francez dhe emirin e fuqishëm, atëherë do të ishte fundi i kësaj historie.

Sidoqoftë, shumë burime të besueshme kanë raportuar se Mbappe tashmë ka arritur një marrëveshje për tu bashkuar me Real Madridin gjatë verës, dhe po diskutohen detajet e vogla si të drejtat e imazhit, para se gjithçka të bëhet zyrtare.