Mbappe dëshiron të luajë në “Euro 2020” dhe “Tokio 2020”

Sulmuesin e PSG-së, Kylian Mbappe, po e pret një verë shumë e ngarkuar në vitin e ardhshëm. 20-vjeçari, që vitin e shkuar fitoi titullin e botës me Përfaqësuesen e Francës, dëshiron të luajë vitin tjetër në dy ngjarje të mëdha sportive – “Euro 2020” dhe lojërat olimpike “Tokio 2020”.

Mbappe nuk ka hezituar të bëjë të ditur se do të jetë pjesë e ekipit olimpik të Francës, vetëm pak ditë pasi francezët siguruan kualifikimin për pjesëmarrje në këtë ngjarje. Përfaqësuesja U21 e siguroi pjesëmarrjen në LO “Tokio 2020”, pasi arriti në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian U21 që po mbahet në Itali e San Marino.

Edhe pse Mbappe kurrë nuk ka luajtur për ekipin U21 të Francës, ai do të jetë në gjendje të përfshihet në ekipin olimpik për shkak të moshës. Në ekipin olimpik përfshihen ata deri në 23 vjeç, me përjashtim të tre lojtarëve që mund të jenë me moshë më të madhe.