Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca në mungesë ndaj të akuzuarit Sllavisha Filiq, i cili nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në cilësinë e pjesëtarit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë akuzohet për maltretimin ndaj mjekut Hafir Shala, i cili është ende i zhdukur.
Fillimisht, me kërkesë të gjykatëses së rastit Violeta Namani-Bajra, prokurori special Atdhe Demaj para leximit të aktakuzës sqaroi se si Prokurori në bashkëpunim me gjykatën kanë bërë përpjekjet për sigurimin e të akuzuarit në gjykim edhe përmes fletërreshtimit ndërkombëtar, por se i njëjti ka qenë i paarritshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, edhe vetë gjykatësja Namani-Bajra njoftoi se si gjykatë kanë bërë publike ftesën për gjykim dhe kanë ftuar personat që njohin të akuzuarin të lajmërojnë policinë nëse kanë informacion për të.
Më pas, u lexua akuza nga prokurori Demaj, i cili tha se i akuzuari Filiq së bashku me dy persona të tjerë, më 10 prill 1998 kishin ndaluar veturën ku gjendej Hafir Shala, Hetem Sinani dhe Shaban Haziraj dhe të njëjtit i kishin kontrolluar.
Sipas prokurorit Demaj, i pandehuri Filiq dhe dy persona të tjerë deri më tani të paidentifikuar, e kishin marrë doktorin Hafir Shala dhe e kishin dërguar në ndërtesën e sigurimit shtetëror në Prishtinë, ku edhe e kishin maltretuar dhe nga ajo ditë nuk dihet për fatin Shalës.
Pas leximit të aktakuzës, gjykatësja e rastit njoftoi mbrojtësen e të akuzuarit Filiq, avokaten Milika Mioslavleviq që mund të paraqesë kundërshtimin e provave dhe aktakuzës në afat prej 30 ditësh.
Ndryshe, më 15 shtator 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Sllavisha Filiq, i cili ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë të paidentifikuar deri më tani nga organet tona, më 10 prill 1998 kishin ndaluar një veturë në Drenas, ku gjendeshin Hetem Sinani, Shaban Haziraj dhe Hafir Shala, ku të njëjtin sipas aktakuzës nga këta pjestarë ishin legjitimuar.
Aktakuza thotë se i akuzuari Filiq me dy zyrtarë tjerë (të tre të veshur me rroba civile) kishin marrë doktorin Shala dhe e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku mjeku Shala iu kishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij.
Andaj, për këto veprime Filiq po ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë. /BetimpërDrejtësi







