Mbahet gara tradicionale e kërcimit tek Ura e Fshenjt

Për vitin e 69 me radhë është mbajtur gjatë ditës sotme gara tradicionale e kërcimit tek Ura e Fshenjt në qytetin e Gjakovës.

Me muzikë dhe nën rrezet e diellit shumë qytetarë kishin ardhur për të shijuar kërcimet e garuesve nga dhjetëra metra lartësi.

Garën e hapi kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili e konsideroi këtë si një ngjarje shumë të rëndësishme për qytetin që ai e udhëheq dhe tërë Kosovën.

“ Meqenëse se vitin tjetër do t’i kemi shtatë dekada të këtij sporti nuk ka asgjë tjetër që mundet me tregu më shumë traditë, më shumë vazhdimësi dhe pasion për këtë sport. Dikur ka qenë vetëm i Gjakovës tani është bërë i gjithë Kosovës”, tha ai.

Pjesë e hapjes së kësaj gare ishte dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija, e cila tha se kjo garë është më atraktive në Kosovë dhe se do të vazhdojnë ta përkrahin financiarisht.

“Ministria e Kulturës ka dy vite me radhë që është duke e përkrahur këtë garë dhe do të jetë e gatshme që kjo garë të përkrahen dhe vitin e ardhshme dhe njëkohësisht të bëhet dhe tradicionale”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, organizatori i kësaj gare Avdyl Osmani tha se për këtë vit nuk ka ndonjë favorit për të fituar garën.

“Ky është një aktivitet që mbahet prej viteve të 40-ta ky është edicioni i 69 që po mbahet këtë vit për kërcimet nga Ura e Fshenjt. Asnjë gjë nuk ka risi, kjo është një garë tradicionale që marrin pjesë garues nga Gjakova dhe jo vetëm”, tha ai.

Garuesi, njëherësh fituesi i vitit të kaluar Florid Gashi u shpreh se nuk kanë pasur mundësi shumë që ushtrohen për t’u përgatitur, por pavarësisht kësaj ai u shpreh optimist se do të fitojë.

“Jemi përgatitur shumë pak, pasi koha ma ka marrë e ftoftë, se kemi pas kohën shumë të mirë. Sivjet besoj se do të ketë konkurrencë. Besoj që po, pasi dhe garat do t’i hapim me një akrobacion”, tha ai.

Gara dhe për këtë vit ka qenë e ndarë në dy kategori në kërcim me këmbë dhe në formë dallëndyshe.

loading…