Mavericks i falen sllovenit Doncic, dështojnë Spurs

Luka Doncic “mbret” i Dallas Mavericks. Talenti slloven, pasi mungoi në përballjen me Los Angeles Clippers mori për dore skuadrën e tij në fitoren 111-102 ndaj Portland Trail Blazers.

Kandidati kryesor për çmimin e debutuesit më të mirë në NBA realizoi 14 nga 21 pikë në total në pjesën e dytë, duke shtuar edhe 9 topa të kontrolluar poshtë koshit. Gjuajtja e tij e saktë për tre, kur kishte mbetur më pak se një minutë nga përfundimi, shoi shpresat e Blazers për të pëmbysur diferencën prej 6 pikësh. Për Portlandin kjo ishte humbja e tretë radhazi, edhe pse Damian Lillard e bëri të tijën duke shënuar 33 pikë, 25 vetën në pjesën e dytë.

As ndërrimi i trajnerit nuk e ndryshoi ecurinë e Chicago Bulls, që u mposht 96-90 nga Indiana Pacers. Me Jim Boylen në stol Chicago pësoi humbjen e shtatë radhazi, edhe pse Pacers nuk kishin në dispozicion Victor Oladipon për të tetin takim radhazi. 23 pikë për Collison, i ndihmuar edhe nga Myles Turner, autor i 18 pikëve e 11 “rebound”. Bulls-at mund t’i gëzohen rikthimit të Lauri Markkanen, realizuesit të tyre më të mirë në këtë takim me 21 pikë 10 “rebound”.

Phoenix Suns u mposhtën nga Sacramento Kings 105-122, në një sfidë që nisi shumë keq për skuadrën nga Arizona, me periodën e parë që u mbyll me një diferencë të frikshme 9-36 në favor të miqve. Sërish skuadra e drejtuar nga Igor Kokoskov tregoi se e ka të vështirë të futet në lojë, duke humbur ndeshje e gjashtë radhazi dhe të nëntën në 10 takimet e fundit.

Disfatë e rëndë e San Antonio Spurs në parketin e Utah Jazz 139-105. Plot 7 basketbollistë të Jazz realizuan më shumë se 10 pikë secili, ndër të cilët spikati Mithchell me 20 pikë, i ndjekur nga Gobert me 18 pikë. Për teksanët nuk mundi të bënte më shumë Poeltl, që e mbylli takimi me 20 pikë.

Ndërkohë Miami nuk ia doli të merrte fitoren përballë Orlando Magic brenda në “American Airlines Arena” në derbin e Floridas, ku u mposhtën 90-105. Spikati për Magic Aaron Gordon me 20 pikë dhe 13 topa poshtë koshit, ndërsa Vucevic dhe Terrence Ross shtuan nga 19 pikë secili.