Lothar Matthaus e ka akuzuar Manuel Neuerin për sjellje të papranueshme, pas komenteve të menaxherit të tij për të ardhmen e portierit gjerman në Bayern Munich.

Neuer është zgjedhja e parë në portën e Bayernit, përveç kur vuan nga ndonjë dëmtim, por thuhet se po e mendon largimin nga klubi, për shkak se ndien se gjiganti gjerman po tregon mungesë ambicieje në tregun e transferimeve.

Menaxheri i tij, Thomas Kroth, tha ditë më parë për “Sudeutsche Zeitung” se Bayerni ka mbetur shumë prapa rivalëve të mëdhenj evropianë dhe se 33-vjeçari mund t’i bashkohet ndonjë ekipi tjetër në mënyrë që ta fitojë Ligën e Kampionëve për herë të dytë në karrierë.

“Ai dëshiron ta fitojë Kampionatin Evropian 2020 dhe po ashtu Ligën e Kampionëve për herë të dytë. Manuel është i orientuar kah suksesi. Përshtypja ime është se hendeku mes Bayernit dhe katër ekipeve kryesore angleze është i madh dhe skuadra e Bayernit ende nuk është konkurruese apo e përgatitur për të luftuar seriozisht për synimet e Manuelit”, pati thënë Kroth.

Këto komente nuk janë pritur aspak mirë nga legjenda e klubit Matthaus, i cili mendon se kapiteni i Bayernit është dashur ta diskutojë këtë çështje në mënyrë private sesa ta lërë përfaqësuesin e vet të flasë në media.

“Sjellja e tij është plotësisht e papranueshme. Si kapiten i Bayernit, ai duhet të flasë me klubin nëse ka ndonjë problem me blerjet. Dyert e menaxhmentit janë gjithmonë të hapura”, tha Matthaus.