Legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthaus, e ka këshilluar yllin e Manchester Cityt, Leroy Sanen, të transferohet në Bayern Munich, duke i thënë se mund të bëhet fytyra e re e kampionit gjerman.

Leroy Sane e ka dëshmuar vlerën e tij në Manchester City, duke i ndihmuar skuadrës së Pep Guardiolës t’i fitojë dy tituj të Premierligë gjatë tri sezoneve të fundit.

Por, 23-vjeçari i prishi marrëdhëniet e tij me Manchester Cityn në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, 2018/19, duke i bërë vetëm pesë paraqitje si titullar në ligë pas janarit.

Sane i luajti vetëm shtatë minuta në dy ndeshjet e Manchester Cityt në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku pësoi disfatë nga Tottenhami. Kjo kishte bërë që të fillonin spekulimet se ai mund të transferohet gjatë verës.

Bayern Munich është raportuar se mund të jetë destinacioni i ardhshëm i Sanes. Drejtori ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge, e pranoi se skuadra e tij është duke tentuar të arrijë marrëveshje me gjermanin.

Matthaus, i cili e mban statusin e legjendës në Bayern Munich dhe Gjermani për sukseset e tij gjatë karrierës si futbollist, beson se kushtet dhe rrethanat janë të përsosura për të ndodhur ky transferim.

“Unë me të vërtetë mendoj se Bayern Munichut do t’i pëlqente të shpenzonte shumë para, më shumë sesa 80 milionë euro. Në Manchester City, ai nuk është i lumtur dhe City është i gatshëm ta lë të lirë”, ka thënë Matthaus për ESPN.

“Por, përgjigja kryesore duhet të jetë nga Leroy Sane. A dëshiron ai të vijë në Bayern Munich, po apo jo? Kur ai të thotë po, Bayerni do ta kontaktojë Manchester Cityn. Bordi i Bayernit ka lidhje të mirë me Guardiolën dhe unë mendoj se ata do ta gjejnë ndonjë mënyrë”.

“Gjëja e rëndësishme është që Leroy Sane t’i thotë 100 për qind po Bayern Munichut. Pastaj, ai do të jetë ylli i madh në Gjermani, ndoshta fytyra më e madhe në futbollin gjerman gjatë viteve të fundit për shkak të parave që Bayerni do t’i shpenzojë për të. Ai mund të jetë fytyra e re e Bayernit”.