Fitorja 1-5 e Manchester Unitedi ndaj Cardiff Cityt në ndeshjen e parë të Ole Gunnar Solskjaerit në drejtimin e “Djajve të Kuq” shtoi pretendimet se problemi i skuadrës ishte ish trajneri Jose Mourinho, por mesfushori serb, Nemanja Matic mendon se faji duhet të ndahet.

Mourinho u shkarkua nga detyra e trajnerit te “Djajtë e Kuq” javën e kaluar pas humbjes 3-1 kundër Liverpoolit.

Matic mendon se lënia e fajit vetëm te Mourinho do të ishte shumë e thjeshtë, me serbin që ishte transferuar te Chelsea në vitin 2014 pikërisht kur trajner i “The Blues” ishte 55 vjeçari.

“E kam thënë edhe herave tjera që ne duhet t’i marrim përgjegjësitë dhe të japim më të mirën tonë në mënyrë që të rikthehemi te fitoret. Nuk e di se çfarë ndryshoi kundër Cardiffit, kjo është një pyetje që askush nuk mund të përgjigjet, por ne jemi të sigurt se kjo është rruga që duhet ndjekur. Këto gjëra ndodhin në futboll, gjithashtu ne jemi të vetëdijshëm se nuk është vetëm faji i trajnerit kur rezultatet nuk janë të mira”, u shpreh Matic.

Ndeshja e parë në shtëpi e Solskjaerit do të jetë të mërkurën ndaj Huddersfieldit ndërsa “Djajtë e Kuq” do ta kenë një tjetër përballje në “Old Trafford” në fundjavë përballë Bournemouthit.