“Djajtë e kuq” janë duke u përgatitur për ndeshjen kundër Barcelonës në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Mesfushori i Manchester Unitedit, Juan Mata, insiston se ata janë gati për këtë sfidë.
Juan Mata ka insistuar se ai dhe bashkëlojtarët e tij në Manchester Unitedit nuk i frikësohen Lionel Messit e Barcelonës, mirëpo kanë respekt për këtë kundërshtar, kundër të cilit i kanë humbur dy finale të Ligës së Kampionëve në të kaluarën.
Kampionia në fuqi e La Ligës, Barcelona, do ta vizitojë “Old Trafford” të mërkurën për ndeshjen e parë në kuadër të çerekfinaleve të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve. Ndeshja kthyese në Camp Nou do të zhvillohet më 16 prill.
Skuadra e Ernesto Valverdes ka qenë në formë tejet mbresëlënëse këtë sezon, e veçanërisht ylli argjentinas, i cili ka arritur t’i shënojë 43 gola dhe t’i asistojë 21 të tjera në vetëm 40 ndeshje të zhvilluara.
Vetë legjenda e Manchester Unitedit, Dwight Yorke, është shprehur se anglezët s’mund ta ndalin Messin, mirëpo Mata beson se skuadra e Ole Gunnar Solskjaer mund të tregohet i fuqishëm kundër të gjithë skuadrës së Barcelonës.
“Ne jemi Manchester Unitedi dhe e përfaqësojmë njërin prej klubeve më të mëdha në botë. Frika nuk është fjala e duhur, respekti është. Ne duhet t’i besojmë vetes dhe e dimë se nëse e kalojmë një ditë të mirë, mund t’i sfidojmë ata”, është shprehur Mata.
“Ne po mendojmë se si të luajmë mirë dhe të luftojmë për tifozët tanë dhe klubit tonë. Barcelona ka një skuadër fantastike, një prej skuadrave më të mira në botë. Ne mezi presim ta zhvillojmë këtë ndeshje dhe shpresojmë të kualifikohemi”.
“Kjo është njëra prej atyre ndeshjeve për të cilat bëhesh futbollist. Ti i do ndeshjet e rëndësishme në skenën e madhe, që është “Old Trafford”. Mezi po e presim këtë sfidë. Shpresoj që do të jetë e mirë për ne”.







