Mesfushori i Manchester Unitedit, Juan Mata, është bërë i njohur si shembull në botën e futbollit, veçanërisht pasi e filloi shoqatën bamirëse ku e dhuron një pjesë të pagës së tij për fëmijë.

Së fundi është zbuluara se mesfushori spanjoll Juan Mata u ndihmon vazhdimisht punëtorëve të klubit, duke i pastruar fanellat edhe të bashkëlojtarëve të tij pas ndeshjeve që “Djajtë e Kuq” i zhvillojnë jashtë “Old Traffordit”.

Përveç fanellave, Mata shpeshherë ofron t’i pastrojë edhe këpucët e tij dhe të bashkëlojtarëve, si dhe rroba të tjera që futbollistët mund t’i kenë marrë me vete.

“Juan është një djalosh me të vërtetë i veçantë, ai ka filluar ta ndihmojë stafin e klubit gjatë muajve të fundit. Kjo e tregon se çfarë lloj personi është ai. Përderisa bashkëlojtarët e tij shkojnë me vetura luksoze në shtëpi, Juani qëndron për t’i ndihmuar stafin”, ka thënë një burim brenda klubit.

“Është punë shumë e rëndë t’i shkarkosh të gjitha rrobat nga autobusi dhe pastaj t’i pastrosh ato. Njerëzit po e përmendin çfarë gjesti i madh është ky, mirëpo të them të drejtën kjo është tipikë për Juanin”.