Juan Mata e ka falenderuar Jose Mourinhon për trofetë e fituar së bashku gjatë periudhës që trajneri portugez menaxhoi Manchester Unitedin, ndërsa 30 vjeçari ka treguar se është i emocionuar për të punuar me Ole Gunnar Solskjaerin, të cilin e ka quajtur legjendar.
Mourinho u shkarkua nga detyra e trajnerit javën e kaluar, ndërsa në stolin e “Djajve të Kuq” është ulur përkohësisht ish lojtari i 20 herë kampionëve të Anglisë, Solskjaer.
Mata e ka pranuar se java e kaluar ka qenë e ndryshme për ta, por tani fokusi i tij është në të ardhmen.
“Qartësisht ka qenë një javë tjetër pas ndryshimit të trajnerit dhe unë do të dëshiroja t’i falenderohem Joses për trofetë që i kemi fituar së bashku, ndërsa i uroj fat për të ardhmen. Siç e dini të gjithë, trajneri i jonë tashmë është legjendari, Ole Gunnar Solskjaer, dhe ne nuk do të mund të fillonim në një mënyrë më të mirë rikthimin e tij. Ishte një fitore bindëse ndaj Cardiffit që do të na shtojë vetbesimin për vitin 2019. Është koha të jemi optimist dhe të shohim përpara t’i lumturojmë tifozët tanë që e meritojnë shumë”, shkruajti Mata në blogun e tij.
Manchester Unitedi ndodhet në pozitën e 6-të në Premier League me 8 pikë më pak se Chelsea dhe Arsenali që mbajnë pozitat 4 dhe 5, ndërsa të mërkurën Unitedi në “Old Trafford” pret Huddersfieldin.







