Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sergey Maslichenko, ka deklaruar se Kosova ka potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor.

Maslichenko ka thënë se rreth 70 deri në 80 për qind të projekteve që kjo organizatë mbështet në Kosovë, i takojnë sektorit privat në Kosovë.

“Mendoj se kemi bashkëpunim të mirë me Qeverinë dhe veçanërisht me sektorin privat. Kam takuar disa ndërmarrës dhe kam vizituar disa kompani dhe, mendoj se është impresionuese sesi bizneset private operojnë këtu dhe shumica e projekteve 70 deri në 80 për qind i takon sektorit privat në Kosovë. Me Qeverinë kemi një apo dy projekte brenda secilit vit, mirëpo mund të kemi edhe më shumë. Mendoj se Kosovës i nevojiten më shumë projekte, veçanërisht në infrastrukturë. BERZh është e lumtur që të ofrojnë më shumë të të holla dhe asistencë teknike për të përgatitur dhe implementuar këto projekte”, ka thënë Maslichenko per EO.

Drejtori i BERZh-it shtoi se kanë mbështetur projekte në sektorin energjetik, në Telekomin e Kosovës, si dhe ndërmarrje të tjera publike.

“Në shkurt të këtij viti ne kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit bashkë me kryeministrin në Londër, në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor dhe ne kemi vlerësuar investimet në katër vitet e ardhshme me rreth katër milion kryesisht në infrastrukturë, që është në energji, transport. Pra, aktualisht jemi duke zhvilluar disa projekte por duhet të presim për planin e trajtimit dhe efiçiencën energjetike të ndërtesave publike me Fondin Energjetik të Efiçiencës të Kosovës, mirëpo plani është të bëjmë më shumë projekte dhe mund të bëjmë më shumë. Këtu ka autostrada, hekurudha, kemi projekte në sektorin energjetik me KEK-un dhe Telekomin e Kosovës dhe shumë ndërmarrje publike dhe me EBRD mund të bëjmë më shumë dhe  përpiqemi të gjejmë mënyrën për ta lartësuar bashkëpunimin me Qeverinë”, ka potencuar drejtori.

Maslichenko ka njoftuar se janë duke i implementuar disa projekte, por sipas tij ka vonesa në tenderim.