Mashtruan me moshën, Kameruni përjashton 21 lojtarë të ekipit kombëtar

Një tjetër skandal i rëndë ka përfshirë futbollin e Kamerunit teksa është zbuluar se pjesa më e madhe e futbollistëve të kombëtares U17 kanë mashtruar me moshën e tyre dhe janë përjashtuar nga ekipi.

Federata e Kamerunit kishte grumbulluar në verë 44 lojtarë nga klube të ndryshme duke i marrë në pyetje rreth ndryshimit të moshës apo identitetit të tyre, që është një problem real në vendin afrikan i trashëguar deri në moshat e rritura. U vendos që ekipit të përzgjedhur prej 30 lojtarësh, t’i bëhej skaner për të kuptuar realisht moshën e tyre, pasi kjo mund të detektohej nëpërmjet rritjes kockore.

Por është zbuluar se 21 nga 30 lojtarët e grumbulluar për të marrë pjesë në turneun UNIFACC, që zhvillohet mes përfaqësueseve të vendeve të Afrikës Qendrore, nuk kanë kaluar testet, që do të thotë se kanë mashtruar me moshën e tyre.

“Federata e Kamerunit bën të ditur se 21 nga 30 lojtarët e ftuar në stërvitje kanë dështuar në testet e skanerit. Ata janë larguar menjëherë nga grupi dhe janë marrë masa për zëvendësimin e tyre”, shkruhej në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Federata e cila drejtohet nga legjenda Samuel Eto. Ky i fundit ka premtuar se do të zgjidhë çështje të këtij lloji që ishin bërë objekt kontestimesh, apo edhe ngjarjesh të turpshme si ajo e ish-futbollistit të kombëtares, Tobi Mimbo, certifikatat e lindjes së të cilit tregonin se ai rinohej me kalimin e kohës dhe jo plakej.