Masat anti-covid nga Komiteti i Ekspertëve, nga sot ndryshon ora policore

Duke nisur nga sot do të rikthehet ora policore e kufizimeve nga 22:00 e mbrëmjes, deri në orën 6 të mëngjesit, në kuadër të masave anti-covid.

Komiteti i Ekspertëve vendosi pak para festave të fundvitit që të ulte orarin e orës policore nga 20:30 deri në orën 6 të mëngjesit, orar që skadon sot.

Përjashtim nga ky rregull kanë bërë të gjithë ata persona që kanë lëvizur për emergjenca shëndetësore apo dhe motive pune. Kujtojmë se të gjithë ata që lëvizin jashtë kësaj fashe orari, duhet të pajisen me një autorizim në portalin e-albania.

Ndër masat e tjera që ndërmori Komiteti i Ekspertëve ishte dhe pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe deri në datë 6 janar, ndërsa të gjithë personat që vijnë nga ky shtet, duhet të bëjnë karantinën 14 ditore, në kuadër të parandalimit të përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.