Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez mendon se sulmuesi i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku është kritikuar padrejtësisht këtë sezon pas formës së dobët të treguar me fanellën e 20 herë kampionëve të Anglisë.

25 vjeçari ka arritur të shënojë vetëm 6 gola në të gjitha kompeticionet këtë edicion, ndërsa e kishte humbur edhe vendin e titullarit gjatë ndeshjeve të fundit kur në stolin e “Djajve të Kuq” ndodhej Jose Mourinho.

Sulmuesi belg për shkak se nuk stërvititi me skuadrën një ditë para ndeshjes, mungoi në fitoren e parë të trajnerit Ole Gunnar Solskajaer në drejtimin e Unitedit, gjatë të shtunës së kaluar në udhëtim te Cardiff City.

Pavarësisht problemeve në “Old Trafford”, Lukaku është figurë kyçe te kombëtarja e Belgjikës ku ka realizuar 14 gola në po aq ndeshje gjatë këtij viti kalendarik.

“Ka një qasje negative ndaj Lukakut lidhur me paraqitjet e tij te Manchester Unitedi. Kur ai shënon të gjithë presin që ai të shënojë, dhe kur nuk shënon konsiderohet fajtori kryesor për dështimin e Unitedit. Por Romelu është i gatshëm për këtë sfidë, ai nuk fshihet asnjëherë dhe e kupton se çfarë kërkohet nga ai. Me Belgjikën e ka dëshmuar se është një nga sulmuesit më të mirë në botë dhe unë nuk e kuptoj pse trajtohet në një mënyrë që ai nuk e meriton”, deklaroi Martinez.

Orari i ngarkuar i ndeshjeve në këtë periudhë festive në Premier League është një mundësi e shkëlqyer për Lukakun që të rikthehet te golat dhe forma e mirë.