Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez e ka lavdëruar lidershipin e yllit të Chelseat, Eden Hazard duke thënë se ai përballet me presionin në mënyrë të shkëlqyeshme.

Hazard po kalon nëpër një formë të mirë te Chelsea këtë sezon teksa ka shënuar 7 gola dhe ka asistuar te 4 të tjerë në Premier League, gjersa është afër t’i ndihmojë kombëtares së Belgjikës për të siguruar kualifikimin në fazën tjetër në Nations League.

“Ai është një lider shumë i mirë. Ka shumë tip lojtarësh që i marrin këto përgjegjësi por Hazard sjell shumë besim se presioni nuk mund të ndikojë te skuadra dhe e transmeton këtë edhe te futbollistët e rinj. Gjithashtu ai kënaqet duke luajtur futboll dhe është shembull për t’u ndjekur nga të gjithë”, u shpreh Martinez.

Belgjika takohet sonte me Islandën në Nations League, ndërsa e përmbyll kampanjën në këtë kompeticion pas 4 ditëve me udhëtimin drejt Zvicrës.