Anthony Martial ka nënshkruar marrëveshje me Manchester Unitedin për vazhdimin e kontratës deri më 2024.

Në kontratën e re mes tij dhe klubit, ekziston edhe mundësia që ajo të zgjatet për edhe një vit tjetër. 23-vjeçari thotë se ndihet pjesë e Unitedit që prej ditës së parë.

Sulmuesi francez Martial e ka arritur marrëveshje përfundimtare me klubin pas plot muajve bisedime dhe pasi e kishte refuzuar një ofertë tetorin e kaluar dhe ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2024.

“Më pëlqen shumë të kaloj kohë në këtë klub. Nga dita kur erdha këtu jam ndier pjesë e familjes United dhe jam mahnitur me ngrohtësinë dhe dashurinë që tifozët na e ofrojnë, të cilët vazhdojnë të më lënë gojëhapur me përkrahjen e tyre”, tha Martial pasi e nënshkroi marrëveshjen.

“Dua ta falënderoj Ole [Gunnar Solskjaer] dhe stafin e trajnerëve për besimin që kanë treguar në mua duke me ndihmuar ta ngre nivelin e lojës sime. Rëndësia e këtij klubi është të fitojë trofe dhe jam i sigurt se trofeu i radhës nuk është larg”, shtoi ai.

Kontrata ekzistuese e Martialit me Unitedin pritej të mbaronte në fund të këtij sezoni, por klubi e aktivizoi klauzolën për zgjatjen e kontratës së tij për edhe një vit në nëntor.

Ish trajneri i Unitedit, Jose Mourinho, kishte shprehur gatishmëri për t’i ndarë rrugët me Martialin verën e kaluar, por më vonë kishte ndërruar mendjen duke kërkuar atij të qëndronte pas një forme mbresëlënëse.

Martial i ka shënuar 10 gola në 25 paraqitje në të gjitha garat për Unitedin deri tani këtë sezon.