Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e pensioneve ka hyrë zyrtarisht në fuqi më 6 korrik 2024, pas një kalvari të tërë bisedimesh dhe akordesh të arritura në kohë, ku themeli kryesor i tekstit të sotëm është vënë në jetë gjatë qeverisë së ish-kryeministrit italian, Mario Draghi.
Prej kësaj marrëveshjeje, fituesit kryesorë janë mbi 500 mijë shqiptarët, të cilët jetojnë në Itali. Por, nuk përjashtohen as shtetasit italianë, të cilët jetojnë në Shqipëri, edhe pse shumë më të paktë në numër.
Sipas përllogaritjeve, janë rreth 4 mijë italianë me leje qëndrimi në Shqipëri, përpos personave, të cilët kanë edhe biznese në vend.
Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht prej vendit ku ka punuar, duke mundësuar krijimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.
Kështu bazuar në marrëveshje, shtetasit shqiptarë, të cilët jetojnë në Itali, apo italianët, të cilët janë në Shqipëri, përfitojnë nga Sigurimi i Përgjithshëm i Detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet, ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe barrë lindja, sigurimin e papunësisë.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, personat që janë në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore respektiv (shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri), duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që ka derdhur kontributet.
Po ashtu shqiptarët, të cilët kanë dalë në pension përpara vitit 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje.
Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Dhe me këtë marrëveshje, të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.
Ata që kanë 10 vite punë në Shqipëri, e më pas emigruan dhe bënë edhe 10 vite punë në Itali, do përfitojnë pension, duke marrë dy pensione: i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu.
Pra secili shtet do paguajë sipas viteve të punës respektive.
Por nga kjo marrëveshje ka përfitime të tjera që dalin nga ligjet italianë. Për shembull në Itali aplikohet e ashtuquajtura (Quote 103), nëse emigrantët kanë 38 vite punë, duke bashkuar vitet në Shqipëri dhe Itali, dhe mosha e tyre është 65 vjeç, atëherë dalja në pension bëhet e menjëhershme.







